("Zoti dërgon për këtë ummet, në krye të çdo 100 viteve, dikë që rinovon fenë për këtë ummet”)
 
 
 
Ne u themi atyre: Islami ynë të cilin e njohëm si shpallje e zbritur është nga i Gjithëfuqishmi i qiejve e i tokës dhe ai që ju iluziononi është grumbull temash e rregullash njerëzore. Tabori i parë i myslimanëve na ka lajmëruar me parimet dhe rregullat e tij për një kushtetutë e cila ka qenë dhe është energjike, nuk devijon dhe nuk e pason asnjë prapambetje.. Kjo kushtetutë shkurtimisht përmblidhet në atë që prej madhështisë së Islamit është të nxisë për përparim e zhvillim pa ndryshuar ai vetë… d.m.th aq sa të jenë myslimanë të besës me parimet e Islamit dhe dispozitat e tij, nuk neglizhojnë me to dhe nuk i ndryshojnë, sepse ai i shtyn ata për në majat e zhvillimit e të përparimit pa ndaluar dhe aq sa të lozin me dispozitat dhe rregullat e tij, do të shfaqen tek ata faktorët e prapambetjes e të mos-zhvillimit.

Në këtë këndvështrim Islami i ngjan makinës, me të cilën dëshiron të shkosh në një vend tjetër. Sa më i vëmendshëm, i kujdesshëm dhe i ruajtur të jesh me të, me pjesët dhe me përdorimin e saj, ti do të udhëtosh me shpejtësinë që dëshiron... Në qoftë se ti do të luash me të, do të ndryshosh mekanizmin dhe mënyrën e punës së saj, duke shpresuar që ta përparosh dhe të braktisësh mënyrën e punës së saj të zakonshme, atëherë ajo – në të kundërtën e asaj që ti mendon – patjetër do të zhgënjejë duke të lënë në vend dhe si rrjedhojë ti nuk do të shkosh e as të udhëtosh për në vendin që dëshiron.


A e vure re makinën dhe kushtin e saj të domosdoshëm, në mënyrë që të çojë në vendin që dëshiron, kështu është edhe Islami! Ai është anija që të mbart ty me urdhrin e Allahut, nga një nivel në një tjetër më të mirë, një njeri të vetëm apo shumë njerëz, por me kushtin e vetëm: Islami të qëndrojë në atë formë që Ai (xh.sh) e ka zbritur. Ndërsa kush refuzon dhe mundohet të hyjë në sheriatin dhe urdhrat e Allahut, në atë që Ai ka përsosur dhe zbritur, ai do ta prishë anijen dhe si rrjedhojë do t’i marrë jetën vetes së tij, duke e ditur ose duke mos e ditur, duke ngecur në vend dhe duke ndejë prapa.  

Argument për këtë që them është ajo që dihet shumë mirë se myslimanët përparuan në pesë shekujt e tyre të parë (periudhë kur sundonte dhe vepronte Islami) më shumë se sa myslimanët e kohëve të fundit deri në ditët e sotme. Kjo gjë ka ndodhur duke mos pasur asnjë ndjenjë për të evoluar gjë prej ligjeve të Islamit dhe sheriatit të tij, madje për t’ia arritur atij përparimi të shkëlqyer, garanti i tyre ka qenë ruajtja me rigorozitet e ligjeve të Islamit dhe sheriatit të tij, pa neglizhuar aspak, apo t’i ndryshojnë këto ligje.

Po ju sjell një panoramë të këtij përparimi të shkëlqyer dhe të shpejtë, i cili ka vendosur standarde në jetën e brezave dhe kjo prej mirësisë së anijes së Islamit, e cila përparoi pa e modernizuar.

Në fushën e ndërtimit, të dukurive shoqërore dhe të veprimtarive ekonomike u shfaqën standarde (shembuj) të shumtë të cilët nuk kishin ekzistuar më parë në jetën e sahabeve të Pejgamberit (a.s). Prej këtyre standardeve (shembujve) po përmendim: myslimanët filluan të përdorin për materiale ndërtimi tulla, gurë, gëlqere, ndërsa më parë ndërtesat bëheshin prej kallamash dhe degë hurmi. Mëkëmbësit filluan të ndërtonin kështjella të fortifikuara për të kryer funksionet dhe detyrat e tyre të sundimit e të drejtimit dhe të shikonin me vëmendje interesat e myslimanëve. Inxhinierët projektonin qytetet e reja që do të ndërtoheshin. Për këtë kemi shembull qytetin e Kufes dhe Basrës, si dy shembujt më të dukshëm, duke ditur që në jetën e tyre më përpara nuk kishte ekzistuar inxhinieria dhe inxhinierët[Shiko: El Bidaje ve en Nihaje tw Ibn Kethirit, 7/75].

U zhvillua aktiviteti tregtar, pasi më parë tregtia kishte qenë e përçmuar tek arabët, sepse atë e kryenin të huajt[El Medhal i Ibnul Haxhit, 4/105].

U shfaq industria (zejtaria) me llojet e saj të ndryshme duke filluar të përhapet te sahatet dhe te të tjerët që i pasuan. Më parë ajo ishte një punë e braktisur prej arabëve. Myslimanët arabë filluan përdorimin e mullinjve me erë duke shfrytëzuar energjinë e erës dhe kjo gjatë udhëheqjes së kalifit Othman (r.a)[Et Teratib el Idarijetu I Abdul Haj el Kettani]. Ushtruan profesionin e përpunimit të lëkurës, madje u shquan në këtë fushë duke dalë edhe përmbi persianët dhe romakët. U përhapën tek ata artet figurative me të gjitha llojet e tyre dhe piktura për sendet që nuk kanë shpirt.

U zhvillua industria e prodhimit të ushqimeve dhe metodat e sigurimit të tyre. Kështu u fut në përdorim mielli i bardhë të cilin fillimisht e importonin, pastaj arritën ta prodhonin vetë. Gjithashtu u dalluan në prodhimin e llojeve të ëmbëlsirave.

Në fushën e njohurive dhe asaj të shkencës u shfaqën botimet dhe u zgjerua rrethi i tyre sipas nevojave të ndryshme. Myslimanët ishin në pararojë përsa i përket marrjes së njohurive prej të tjerëve duke vërshuar në botimet në gjuhë të ndryshme të huaja dhe duke i përkthyer në gjuhën arabe, pastaj qëndronin mbi to duke studiuar përmbajtjen e tyre shkencore, kulturore dhe filozofike.

Të gjitha këto zhvillime dhe përparime të shkëlqyera u arritën gjatë më pak se një shekulli të vetëm nga fillimi i shpalljes, në jetën e një populli (ummeti) i cili nuk dinte çfarë do të thotë përparim, nuk lëvizte dot prej pellgut të ngecjes në prapambetje përpara Islamit... Islami e shtyu drejt gjithë këtyre përparimeve të shpejta në shkallën e zhvillimit pa transformuar gjë prej parimeve dhe ligjeve të tij.

Ne e dimë të gjithë se shoqëria jonë islame, në shekujt e fundit nuk ka përparuar qoftë edhe me 1/10 e përparimit të myslimanëve në atë shekull të parë të moshës së shtetit të brishtë islam!... Këta myslimanë ishin shembulli më i mirë i respektimit dhe i lidhjes së fortë me parimet dhe ligjet e Islamit, pa i prekur dhe pa i ndryshuar ato, ndërsa myslimanët e kohëve të fundit janë shembulli i lojës dhe i ndryshimit të këtyre ligjeve dhe parimeve, madje dhe pakënaqësisë ndaj tyre.

Habitem për ata që i ka mbuluar përtacia, rënia dhe ngurtësia, që pastaj pranuan shpikjet e tyre ndaj të vërtetave dhe realiteteve të qarta duke thënë: kjo është prej fajit të Islamit, i cili i ka ndaluar të përparojnë dhe i ka penguar të arrijnë zhvillimin e të tjerëve!...


***

Një të vërtetë të rëndësishme, të cilën nuk duhet ta largojmë nga mendjet tona dhe as ata të cilët i janë shmangur Islamit nuk duhet ta largojnë prej mendjeve të tyre nën mbulesën e propagandës për modernizim dhe përparim, është se të gjithë popujt dhe shoqëritë e tjera jo-arabe, kanë derdhur djersë dhe kanë shpenzuar energji në rrugën e arritjes së qëllimit të tyre për civilizim, fuqi dhe shkencë, me të gjitha mjetet e tyre materiale dhe shkencore. Kështu që syneti (praktika) e Allahut që funksionon për robërit e Tij është e vërtetë ndaj këtyre njerëzve se çdo kush që punon për t’ia arritur synimeve dhe qëllimeve, patjetër do të korrë frytet e punës së tij, njeri i vetëm qoftë apo shoqëri, pa marrë parasysh imanin ose kufrin (mosbesimin) e tij. A nuk ka thënë Allahu (xh.sh) në Kur’an: “Ne secilit atyre dhe atyre i japim nga të mirat e Zotit tënd dhe dhënia e Zotit tënd nuk është e kufizuar” (Isra: 20).

Kështu, secilit që i rrjedhin jargët e dëshirës së modernizimit, fuqisë, shkencës dhe pasurisë të shoqërive perëndimore, u themi se ato janë fryt i djersës të derdhur dhe energjive të shpenzuara. Kështu që ishte e drejtë të korrnin frytet e mundit të tyre... Ndërsa arabët, të cilët akoma nuk janë bërë popull arab, mbetën të fjetur në shtratin e injorancës, varfërisë dhe përçarjes dhe të kënaqur me gjithë këtë gjendje. Ata nuk shpenzuan energji për t’ia arritur asaj që shoqëritë e tjera perëndimore ia arritën.

Kur dielli i Islamit lindi dhe lidhja dhe kapja e tyre me fenë e Allahun ishte e sinqertë, Islami u dha hov të madh sa që për njëzet vjet arritën majën e botës pas një injorance të thellë, fuqinë pas dobësisë dhe pasurinë pas varfërisë!... Çmimi i gjithë kësaj në jetën e arabëve ishte Islami... ndërsa çmimi në jetën e shoqërive të tjera ishte mundi dhe praktika e zbatuar.

Në qoftë se ummeti arab largohet sot prej Islamit duke e braktisur atë me pretendimin e thirrjes për modernizim dhe zhvillim, atëherë syneti (praktika) e Zotit do të funksionojë pa bërë lëshim, duke u kthyer ky ummet në gjendjen e tij të mëparshme, para se Islami t’i shpëtonte prej prapambetjes dhe t’i lartësonte në majën e qytetërimit dhe përparimit... Në qoftë se ata kanë pasur një të shkuar të ndritur si rezultat i mundit dhe i energjive të shpenzuara, le ta kërkojnë dhe të kthehen në trashëgiminë e tyre, e cila është duke i pritur.

Kjo është linja e qartë në të cilën ka rënë realiteti i sotëm i këtij ummeti, i sinkronizuar me linjën e qartë që na jep devijimi dhe sprapsimi prej bindjes dhe sinqeritetit të mëparshëm me Islamin, akiden, sheriatin dhe sjelljen e mirë.

Ah sikur ky realitet, i cili po shqetëson ummetin arab, të na zgjojë drejt këtij ligji hyjnor, të cilin e kuptoi Umer ibn Hattabi dhe punoi me të nëpërmjet mirësisë së madhe që gjendet në të, duke thënë: “Ne jemi një popull që Allahu na ka bërë krenar me Islamin, por sa herë që të kërkojmë krenarinë me diçka tjetër përveç asaj që Allahu na ka bërë krenar, Allahu do të na poshtërojë me të”. Pastaj erdhëm ne dhe punuam nëpërmjet pasojave që gjinden në të.. Mjerë ne, pasi nuk morëm mësim, këshillë dhe nuk u udhëzuam prej asaj që tha Umeri (r.a), por vendosëm të punojmë, madje është një realitet shoqëror, me atë që Ibn Halduni ka thënë: A nuk ka shkruar ai në librin e tij, “Mukaddime” një kapitull me temë: “Punët e arabëve nuk kanë mbarësi përveçse nëpërmjet fesë”.

Gjithë esenca e kësaj që thamë është se udhëtimi i ummetit arab drejt përparimit dhe krenarisë bëhet nëpërmjet anijes së Islamit dhe veprimtarisë së tij, pa përdorë mjet apo veprimtari tjetër... Rinovimi i tij do të thotë: rinovimi i marrëdhënieve me të, i sinqeritetit, mbështetjes tek ai dhe lidhjeve të forta pas çdo të reje që sjell koha dhe shkenca, të cilat përfshihen brenda ligjeve dhe rregullave të Islamit. 

Ndërsa puna për evoluimin dhe modernizimin e tij, përfundimi i saj i vetëm, i cili nuk ka aspak dyshim, do të thotë dëmtim i kësaj anije... Ky është qëllimi i vërtetë, i cili fshihet te propaganduesit e evoluimit dhe modernizimit dhe kjo është ajo të cilën e quajnë “leximi modern”.

Le ta dimë shumë mirë se ne nuk kemi anije tjetër, e cila do të na mbartë drejt shpresave tona për përparim, unitet dhe rikthim i të drejtave përveç anijes së Islamit. Kjo është alternativa jonë e vetme dhe kjo është historia jonë e udhëtimit nga gremina e injorancës për në tokën e djeshme të përparimit. Ky është ligji hyjnor, i cili sundon robërit e Tij në çdo kohë dhe në çdo vend.  


Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip

Lavdrim Hamja